AKTIVITET TRAJNUES: 19 nëntor 2025 “Vendosja e masave të sigurisë së arrestit në shtëpi dhe arrestit në burg, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara nga nenet 228 dhe 230 të Kodit të Procedurës Penale”

Shkolla e Magjistraturës më datë 19 nëntor 2025, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Vendosja e masave të sigurisë së arrestit në shtëpi dhe arrestit në burg, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara nga nenet 228 dhe 230 të Kodit të Procedurës Penale.", pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.

Ky aktivitet u drejtua nga: 

Ekspertë: Sandër Simoni

Lehtësues: Florian Boriçi

Qëllimi i këtij trajnimi është: Të përforcojë aftësitë e gjyqtarëve dhe prokurorëve për vlerësimin dhe caktimin e masave të sigurisë arrest në shtëpi dhe arrest në burg, në përputhje me kushtet, kriteret dhe standardet e parashikuara nga nenet 228 dhe 230 të Kodit të Procedurës Penale, duke aplikuar praktikën gjyqësore kombëtare dhe standardet e GJEDNJ.

Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve. 

Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si: 

  • Kushtet dhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi”. Kriteret e diferencuara në caktimin e këtyre dy masave.  Kriteret e veçanta për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”;
  • Standardet ndërkombëtare mbi masat e sigurimit personal shtënguese të arrestit në burg e arrestit në shtëpi. Korniza ligjore, jurisprudenca e GJEDNJ-së dhe ajo kushtetuese mbi privimin nga liria, përkufizimi dhe fushëveprimi i Nenit 5 të KEDNJ-së: interpretimi i "ligjshmërisë" dhe "në përputhje me një procedurë të përcaktuar me ligj". Praktika e unifikuar gjyqsore mbi kushtet caktimit e zbatimit të masave të sigurimit të arrestit dhe çështje të diskutueshme mbi to;
  • Aplikimi praktik i masave të sigurimit Vlerësimi i provave, zgjedhja ndërmjet arrestit në shtëpi dhe arrestit në burg.

Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë, prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore të Republikës së Shqipërisë.